E gatshme për të organizuar një takim të ri në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është shprehur Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pas zgjedhjes së Qeverisë së re në Kosovë.

“Ky është një momentum i ri për të avancuar marrëdhëniet BE–Kosovë dhe dialogun Beograd–Prishtinë. Jam e gatshme të pres së shpejti një takim të nivelit të lartë”, shkroi Kallas në platformën X .

Ajo theksoi se pas më shumë se një viti bllokadë politike, formimi i Qeverisë së re të Kosovës “është një lajm inkurajues. Urime Albin Kurti”.

“Ajo që ka rëndësi tani është që të ecet me shpejtësi në reforma. Kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen e BE-së me vlerë qindra miliona euro dhe për të bërë përparim në rrugën drejt BE-së”, shtoi kryediplomatja evropiane.

Albin Kurti, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, të mërkurën, është zgjedhur Kryeministër i Kosovës për herë të tretë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, 66 deputetë votuan pro Kurtit dhe kabinetit të tij,  49 ishin kundër dhe asnjë abstenim.