Një grup i deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, kryesisht të Bashkimit Demokratik për Integrim, kanë dorëzuar të premten në procedurë parlamentare Propozim-Rezolutën për respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Nga BDI-ja e Ali Ahmetit kanë theksuar se kjo rezolutë mbështetet në parimet kushtetuese dhe në standardet ndërkombëtare të drejtësisë, “duke riafirmuar përkushtimin ndaj shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimit të plotë të të drejtave themelore të njeriut, ashtu siç përcaktohen në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut”.
“Nëpërmjet kësaj nisme parlamentare kërkohet që proceset gjyqësore që po zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare, duke garantuar prezumimin e pafajësisë, mbrojtjen efektive dhe gjykimin brenda një afati të arsyeshëm për të gjithë të akuzuarit”, thuhet në njoftim.
Në rezolutë, vlerësohet edhe kontributi i krerëve të UÇK-së në proceset e paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të rajonit, duke theksuar se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, profesionale dhe e pavarur nga çdo ndikim politik.
Deputetët nënshkrues u kanë bërë thirrje të gjithë ligjvënësve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, pa dallim përkatësie politike, që t’i bashkohen kësaj nisme dhe ta mbështesin Rezolutën me votë, “në funksion të forcimit të parimeve universale të drejtësisë dhe respektimit konsekuent të standardeve ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm”.
Kjo iniciativë e disa deputetëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, vjen pas që Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë dhe ai i Kosovës një rezolutë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.









