Pas konstituimit, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot (e mërkurë) përsëri për të zgjedhur Qeverinë e re.

Kështu tha Kryetarja e re e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Sot pritet të mbahet edhe një seancë tjetër, pra është seanca për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Prandaj, ju lutem që të qëndroni në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për këtë do të njoftoheni shumë shpejtë”, ka thënë Haxhiu.

Mandatari do të jetë nga Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, që sipas të gjitha gjasave pritet të jetë Kryetari i VV-së, Albin Kurti. Ai do të mandatohet nga Presidentja Vjosa Osmani.

Kuvendi i Kosovës u konstituua të mërkurën. Kryetare u zgjodh Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes. Pro saj votuan 66 deputetë, 44 ishin kundër dhe 8 abstenuan.

Më pas, u zgjodhën edhe pesë nënkryetarët: Ardian Gola i VV-së, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Slavko Simiç i Listës Serbe dhe Emilja Rexhepi e grupit multietnik.