Partia Demokratike e Kosovës ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e brendshme partiake pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e kryesisë së PDK-së, e cila është mbajtur të hënën, ku thuhet se kanë diskutuar analizën e brendshme të procesit zgjedhor dhe rezultatit elektoral.

“Gjatë kësaj mbledhjeje janë adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet e fundit, ku PDK është renditur si forca e dytë politike, duke ruajtur votën e saj tradicionale. Po ashtu, janë nxjerrë rekomandime konkrete për hapat e mëtejmë politikë dhe organizativë të partisë në të gjitha nivelet”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Si hap i parë drejt ecjes përpara dhe forcimit të mëtejmë të partisë, Kryesia e PDK-së ka miratuar vendimin për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme partiake, të cilat njoftohet se do të zhvillohen në të gjitha nivelet organizative, nga nëndegët dhe degët, deri te organet qendrore të partisë.

“Ky proces do të nisë gjatë javëve të ardhshme përmes emërimit të grupeve punuese dhe përpilimit të hapave konkretë, me synimin për një proces gjithëpërfshirës, demokratik dhe transparent, që ka për qëllim konsolidimin e strukturave, forcimin e unitetit të brendshëm dhe përgatitjen e PDK-së për sfidat politike”.

Nga kjo parti kanë thënë se mbeten të përkushtuar që, mbi bazën e reflektimit dhe përgjegjësisë politike, “të vazhdojë ngritjen e saj si parti kryesore opozitare, e organizuar dhe e besueshme, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit të Kosovës”.

Në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, PDK-ja u rendit parti e dytë me 20.19 për qind të votave. Ajo mori 22 deputetë.