“Të gjitha janë në diskutim. Natyrisht edhe dorëheqja pa asnjë diskutim”, ka thënë Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të kësaj të diele.

Në një konferencë për media nga selia e LDK-së, ku janë numëruar mbi 90 për qind e votave, e ku LDK ka marrë 13.80 për qind të votave, Abdixhiku deklaroi se merr përgjegjësinë për dështimin në zgjedhje.

Rezultati i LDK-së, Abdixhiku potencon se nuk është ai që e kanë pritur dhe njoftoi që ditëve në vijim do ta thërrasë Kuvendin e LDK-së, ku do të shqyrtohen të gjitha përgjëgjësitë e tij si kryetar.

“Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësit që mbaj si kryetar. Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, deklaroi ai.

“Këto pesë vjet, kam vepruar ashtu siç kam besuar se është më e mira për LDK-në. Megjithatë, sot them hapur nuk kam arritur ta çojë LDK-në aty ku duhet të jetë. Kemi ndërtuar ekip të mirë, kemi ndërtuar fushatë të dinjitetshme, por ky është verdikti qytetar dhe përulemi para tij. Qytetari gjithmonë ka të drejtë”, shtoi.

Ai ka uruar fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje. “Shteti është mbi secilin prej nesh. Le të shpresojmë se qytetarët kanë zgjedh drejt këtë herë”, pohoi.