Katër ditë pasi që punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës hynë në grevë të përgjithshme për shkak të mos ekzekutimit të pagave, Qeveria në detyrë e ka ndarë buxhetin për pagat e RTK-së nga kategoria e kursimeve.
Kjo u bë e ditur nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, të enjten. Shuma e mjeteve të ndara është 4 milionë e 480 mijë euro.
“Që në muajin gusht ne e bëmë një zgjidhje të përkohshme duke dhënë overdraftin për RTK me shpresën që pas konstitutimit të Kuvendit të Kosovës dhe themelimit të komisioneve parlamentare të arrihet zgjidhja e duhur për të cilat kishin përgjegjësi të gjitha partitë politike parlamentare”, tha Kurti.
“Ne nuk i kishim votat e mjaftueshme pasi partitë e tjera refuzuan kategorikisht pagat për RTK. Siç edhe e ka paralajmëruar ministri Hekuran Murati këtë të hënë në konferencën e tij për media, kemi shqyrtuar disa opsione të mundshme për të dalë nga kjo situatë”, shtoi.
Në këtë mbledhje, Kurti theksoi se “mjetet e nevojshme po ndahen nga kategoria e kursimeve”. “Pra, kjo zgjidhje e sotme apo më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme është veçse një improvizim i detyruar pas përpjekjeve tona të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës për ta miratuar aty buxhetin për RTK-në”, deklaroi ai.









