Kryetari i rizgjedhur i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se në orën 18:30, sot(e mërkurë, 15 tetor) do ta hap zyrën e selisë së PDK-së në këtë komunë. Lladrovci në një postim në Facebook ftoi “anëtarët e Shtabit Zgjedhor ‘Për Drenasin Kampion’ të japin kontributin e tyre për fitore në degët e PDK-së që janë në balotazh”.

“Me kandidatet dhe kandidatët për Kuvend me anëtarët e Shtabit zgjedhor, do të takohemi bashkë në zyrat ku ishim vendosur përkohësisht dhe së bashku, në ora 18:00, ndërsa rreth orës 18:30 do ta hapim simbolikisht zyrën ku ishte selia e Degës së PDK-së në Drenas, zyrë e cila me vite ka qenë burim i fitoreve”, shkroi.

Siç thotë Lladrovci, “ky koktej nuk është përjashtim për ata që mendojnë ndryshe, as demonstrim i arrogancës së fitores, thjeshtë, është kthim te ambientet nga të cilat kishte dhe do të ketë vetëm fitore”.

Ramiz Lladrovci fitoi me të paren në Drenas. Mori 52.31 për qind të votave krahas 37.31 për qind sa mori kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Petrit Hajdari. Ai në këto zgjedhje kishte garuar me listën e tij “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”.