Bedri Hamza, pas dorëheqjes së parevokueshme nga posti i kryetarit të PDK-së, ka thënë se kishte shpresuar që pas 16 shtatorit, përgjegjësinë në parti t’ua dorëzonte ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Hamza foli edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilin e cilësoi si padrejtësi të madhe.
Ai tha se përgjegjësitë që kishte marrë në PDK pas dërgimit të ish-udhëheqësve të saj në Hagë, në vitin 2020, i kishte konsideruar si detyrim ndaj partisë dhe Kosovës.
Hamza tregoi se kishte shpresuar deri në momentin e fundit që Thaçi dhe Veseli do të ktheheshin dhe do ta vazhdonin vetë rrugëtimin e tyre politik.
“Kam besuar se menjëherë pas 16 shtatorit ata do të ktheheshin dhe do të vazhdonin vetë rrugëtimin e tyre politik. Edhe përkundër rrethanave të mia personale, kam qëndruar dhe kam vazhduar me shpresën se kjo ditë do të vinte. Por, 16 shtatori fatkeqësisht e padrejtësisht na bëri këtë shpresë edhe pak më të largët”, ka thënë Hamza.
Ai theksoi se as ai dhe as PDK-ja nuk do të dorëzohen në përpjekjet për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Do të vazhdojmë të angazhohemi për drejtësi, për të vërtetën dhe për kthimin e tyre pranë familjeve, pranë popullit dhe pranë Kosovës, sepse lirinë e tyre e duam edhe më shumë sesa lirinë tonë”, ka deklaruar Hamza.









