Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka dërguar ftesë për takim kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për të diskutuar procesin e zgjedhjes së presidentit.
Lajmin për VOX Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka.
“Po, sot në mëngjes Kryeministri Kurti ka dërguar letër për takim tre kryetarëve, të PDK, LDK dhe AAK.” ka thënë Manxhuka.
Kurti kishte paralajmëruar më herët se do t’i ftonte liderët e partive opozitare në takim sapo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ta përmbyllte procesin e numërimit dhe certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë.
“Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.









