Drejtori i përgjithshëm i qumështores “Vita”, Artan Spahija, ka reaguar një ditë pas aksionit inspektues të zhvilluar në fabrikën e kompanisë, duke sqaruar se pezullimi i përkohshëm i prodhimit nuk është urdhëruar nga institucionet shtetërore, por është vendim i bordit të kompanisë.

Në një konferencë për media, Spahija tha se inspektimi është kryer pas një vendimi të ministrit në detyrë për kontroll urgjent në qumështore, ndërsa shtoi se kompania po pret rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të marra gjatë kontrollit.

Sipas tij, në objektin e fabrikës kanë hyrë rreth 15 deri në 20 persona, të cilët fillimisht janë prezantuar si inspektorë, ndërsa më pas është bërë e ditur se vepronin në bazë të një vendimi të Ministrisë.

“Ne kemi kërkuar sqarime se kush janë dhe për çfarë arsye kanë ardhur, pasi numri i personave ishte i madh. Në kontroll kanë marrë pjesë përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë”, deklaroi Spahija.

Kurse, Lekë Sahatçiu, drejtor ligjor i kompanisë tha se shqetësuese për ta mbetet përbërja e personave që kanë marrë pjesë në inspektim.

“Ajo që ka qenë shqetësuese lidhet me përbërjen e personave që kanë qenë aty. Nuk kanë qenë vetëm inspektorë, sepse inspektorë kanë qenë deri në pesë. Kemi pasur një përbërje politike; ka qenë këshilltarja e ministrit dhe një konkurrent i yni. Vendimi i ministrit ka qenë joligjor. Arsyeja pse ne kemi reaguar është se në atë përbërje ka qenë këshilltarja e ministrit dhe një konkurrent tjetër i yni”, ka thënë ai.