Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke u takuar sërish me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Paraprakisht, Kurti e ka takuar Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Takimet po mbahen në zyrën e Kurtit në Kryeministri.
Se mund të takohet me Kurtin, Hamza e paralajmëroi disa orë më herët. Madje, tha se pret që në takimin e ardhshëm me Kurtin pret që të mbyllet çështja e ndryshimit të Ligjit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Ende s’është tejkalu si temë kjo. Ende nuk është përfundu. Ju e keni pa mbrëmë që në Qeveri janë aprovu disa dokumente, po unë pres që në takimin e radhës kjo çështje të mbyllet”, tha Hamza për Klan Kosova, pasi që u pyet nëse kanë marrë premtim nga Kurti që do t’ia sigurojë votat e VV-së për ndryshimet ligjore për ligjin për Specialen.
Hamza theksoi se pas votimit të ligjit në të dyja leximet, mund të hyjnë në procedurën për zgjedhjen e Presidentit
“E dini kërkesën tonë. Për neve është prioritet ligji, dhe ne presim që fillimisht ta kemi zotimin. Të aprovohet ligji në të gjitha leximet dhe pastaj të hyjmë në procedurën për zgjedhjen e Presidentit nëse veç dakordohemi”, shtoi ai.
Kurti e Hamza u takuan edhe të premten.
Këto zhvillime po ndodhin një ditë pasi që Qeveria miratoi vendimin për dërgimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend.
Ky ligj u iniciua nga PDK-ja, pasi që Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale në Hagë dënoi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 81 vjet burgim gjithsej.
Ish-Presidenti, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim, ish-Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, po ashtu me 25, ish-Kryetari tjetër i Kuvendit, Kadri Vesleli, me 18, dhe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, me 13 vjet.









