Ramush Haradinaj nuk do të jetë më Kryetar i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Ai ka bërë të ditur edhe se në zgjedhjet e ardhshme brenda kësaj partie nuk do të garojë për të marrë sërish drejtimin e partisë.
Këtë, Haradinaj e ka njoftuar në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së.
“Ndryshim është se nuk do të kandidoj për Kryetar të Aleancës në këto zgjedhje të brendshme, pra në Kuvendin zgjedhor të Aleancës”, tha Haradinaj.
Ai tregoi edhe arsyet se pse e ka marrë vendimin për largimin nga pozita e Kryetarit të AAK-së.
“Është kohë e gjatë në udhëheqje nga themelimi i Aleancës maj 2000, është një faktor koha, është edhe rezultati jo i mirë i zgjedhjeve. Pra, 9 shkurt edhe 28 dhjetor, por edhe sikur të ishte ndonjë rezultat tjetër prapë do ta merrsha një vendim të tillë”, deklaroi ish-Kryeministri.
Si arsye tjetër, Haradinaj theksoi se është “besimi që kam në kuadrin e Aleancës, në njerëzit e Aleancës”.
“Aleanca nën udhëheqjen e re të Kryetarit të ri që del nga ky Kuvend do t’i fiton zgjedhjet në Kosovë, pra do të jetë partia e parë. Unë besoj shumë që Aleanca e ka këtë mundësinë në udhëheqjen e re”, shtoi.
Haradinaj njoftoi edhe se Ardian Gjini, Kryetar i Gjakovës, e ka shpallur tashmë kandidaturën për Kryetar të AAK-së.
“Është po ashtu lajm i mirë që sot kolegu im me të cilin njihemi edhe të cilin e vlerësoj vërtetë shumë, një njëri që është krijuar edhe është gatuar në proceset që i ka kalu vendi ynë me proces edhe i ka realizu me fitore të gjitha objektivat e veta, pra ka shpallë kandidaturën, mund të ndodhë edhe ndonjë kandidaturë, por kandidatura e parë është Ardian Gjini”, deklaroi ai.
Haradinaj është pyetur edhe nëse është duke i mbledhur nënshkrimet për të kandidat për President, por që ka mohuar një gjë të tillë. Mirëpo, theksoi se do ta shqyrtonte nëse deputetët e Kuvendit do t’ia kërkonin.
“Nuk jam kandidat për president të vendit, nëse në një rrethanë të caktuar deputetët do të ma kërkonin e kisha shqyrtu, por nuk jam kandidat. Presidenca është institucion i rëndësishëm i vendit, ne do t’i vazhdojmë konsultat e brendshme në Aleancë për me marrë një qëndrim si do të veprojmë”, potencoi ai.
Ramush Haradinaj ka qenë Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që nga themelimi i këtij subjekti politik në maj të vitit 2000.
Haradinaj si Kryetar i AAK-së ka qenë Kryeministër i Kosovës dy herë në kohë të ndryshme. Fillimisht nga 3 dhjetori i 2004-së deri më 8 mars 2005, dhe më pas nga 9 shtatori i 2017 deri më 3 shkurt 2020.









