Si “partnere të përkushtuar” e ka konsideruar Departamenti Amerikan i Shtetit Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit që ka pasur të premten me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

“Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, u takua sot me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, një partnere e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e DASH-it.

Aty theksohet se Rubio e falënderoi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për rolin si anëtare themeluese e Bordit të Paqes dhe për kontributin me burime në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.

Në njoftim potencohet edhe se SHBA-të, presin të bashkëpunojnë me Qeverinë e re të Kosovës “për të avancuar agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet ekonomik”.

Për këtë takim, përmes një postimi në platformën X, ka shkruar edhe vetë Rubio. Ai ka thënë se e ka falënderuar atë për përkushtimin ndaj paqes.

“U takova me Presidenten Vjosa Osmani Sadriu dhe e falënderova atë dhe popullin e Kosovës për përkushtimin e tyre ndaj paqes dhe stabilitetit, duke qenë anëtar themelues i Bordit të Paqes. Po ashtu e falënderova Presidenten Osmani për kontributin e saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza”, shkroi Rubio.