Ali Ahmeti, Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka thënë se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale u shoqërua me shfrytëzim të resurseve shtetërore e me shantazh dhe presion financiar ndaj votuesve.
“Për fat të keq, këto zgjedhje u shoqëruan me shfrytëzim të resurseve shtetërore, me inxhiniering elektoral të orkestruar në mënyrë sistematike, si dhe me shantazh dhe presion financiar mbi votuesin”, tha Ahmeti në një konferencë për media nga selia e BDI-së.
Këto praktika, sipas tij, “të pandershme nuk i përkasin një shoqërie demokratike dhe dëmtojnë vetë besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor”.
Megjithatë, kreu i BDI-së theksoi se “ne kemi fituar votën e shumicës – votën e popullit”.
Ahmeti theksoi se humbja në disa komuna “është një thirrje për të forcuar strukturat, për t’u ofruar më shumë me njerëzit dhe për të përmirësuar mënyrën si menaxhojmë politikat lokale”.









