Zbatimi i marrëveshjes për normalizim të plotë me Serbinë ka qenë tema kyçe e takimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, të premten në pallatin Élysée.
“Në takim ngrita çështjet e sigurisë, forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse, dialogut me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë”, shkroi Kurti në Facebook.
Për rreth dy orë, Kurti tregoi se me Macron-in ka diskutuar për “rolin e rëndësishëm dhe të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për angazhimin e misioneve të Bashkimit Evropian, si dhe për përkushtimin e Republikës së Kosovës për harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”.
Ai theksoi se nga Presidenti Macron ka kërkuar mbështetjen e Francës në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE e organizata ndërkombëtare dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes organizimit të forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë.
Takimi i Kurtit me Macron-in vjen pak më shumë se një muaj pasi që ky i fundit, në letrën e tij të urimit për rizgjedhjen e Kurtit si Kryeministër, të dërguar më 23 shkurt, kishte kërkuar zbatimin e obligimeve që Kosova i ka ndërmarrë në kuadër të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Marrëveshjet e Brukselit-Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhej në letrën e Macron-it për Kurtin.
Macron kishte potencuar edhe se vendi që ai udhëheqë është i bindur se vendi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian dhe “ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane”.
“Franca do të vazhdojë gjithashtu t’i mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension thelbësor të këtij procesi afrimi me Bashkimin Evropian”, shtoi ai.
Marrëveshja mes Kryeministrit Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin amerikano-evropian, ishte arritur fillimisht në Bruksel më 27 shkurt 2023 dhe më pas në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars 2023.
Ujdia mes dy vendeve fqinje përmbante 11 nene, përmes të cilave Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian konsideronin se kanë gjetur zgjidhjen.
Pos tjerash, Kosova kishte pranuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ishte pajtuar edhe për një status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.
Serbia në anën tjetër ishte pajtuar që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Si tërësi, kishte pranuar njëfarë njohje de-facto të shtetësisë së Kosovës.
Por, kur kanë kaluar tri vjet nga kjo marrëveshje, zbatimi i saj nuk duket gjëkundi, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare.









