Ish-zëdhënësi i Vetëvendosjes, Shkodran Hoti, ka rrëfyer se Arianit Beqiri, asistent i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në vitin 2017 kishte një profil të ngjashëm me “Lule Gjelin”, përmes së cilit sulmonte individë që ishin kundër VV-së. Sipas tij, ky profil e kishte emrin “Axhi Tator” dhe shërbente për propagandë në shërbim të tash partisë në pushtet.
“Kur unë kam qenë pjesë e Vetëvendosjes apo para vitit 2017 ose 2016 ka qenë vetëm një që unë e kam njohur në VV. Ka qenë një profil i vogël, i cili nuk ka bërë propagandë sikur ky, por ka qenë një profil i quajtur “Axhi Tator”. Prapa tij (Axhi Tatorit) ishte hiq më pak se asistenti i Albin Kurtit, Arianit Beqiri”, ka thënë Hoti në Paparaci.
“Ka qenë një profil më i margjinizuar. Ai e ka përdorur, jo aq brutal sa Lule Xheli, për sulme ndaj njerëzve që kanë dalë prej Vetëvendosjes”, shton.
Prokuroria Speciale së fundmi është vënë në lëvizje për profilin famëkeq “Lule Gjeli”, postimet e së cilit kanë përmbajtje dehumanizuese ndaj kundërshtarëve të pushtetit.
Njëri nga administratorët, sipas raportimeve të deritanishme, është një individ me emrin Gent Prokshi, i cili gjithashtu është i afërt me Vetëvendosjen.









