Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se kryetarët e komunave të Kosovës planifikojnë të protestojnë në shtator para Qeverisë së Kosovës.
Rama ka thënë se kryetarët e komunave janë bashkuar kundër, siç ka deklaruar ai, shkeljes së vazhdueshme të ligjit dhe qasjes së Qeverisë Kurti ndaj pushtetit lokal.
“Sot, të gjithë kryetarët e komunave jemi bashkë. Bashkë do të jemi edhe në shtator, në protestë para Qeverisë Kurti”, ka shkruar Rama.
Ai ka akuzuar Qeverinë se po bllokon mjete dhe projekte për komunat që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas Ramës, paralajmërimi i dhënë gjatë fushatës zgjedhore lokale se nuk do të ndahen mjete për komunat që nuk qeverisen nga Vetëvendosje, tashmë po shndërrohet në praktikë.
“Po bllokohen mjete dhe po pengohen investime që u takojnë qytetarëve. Po tentohet që pushteti lokal të nënshtrohet përmes presionit financiar dhe politik”, ka shkruar ai.
Rama ka pretenduar se komunave u janë marrë mbi 344 milionë euro që nga viti 2022, për obligime që, sipas tij, nuk i kanë krijuar vetë komunat.
Ai ka theksuar se bllokimi i mjeteve për komunat nuk prek vetëm kryetarët, por drejtpërdrejt qytetarët dhe projektet e tyre.
“Komunat nuk janë të kryetarëve. Komunat janë të qytetarëve”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, bllokimi i një komune për shkak të përkatësisë politike të pushtetit lokal nënkupton pengimin e investimeve në rrugë, çerdhe, shkolla dhe shërbime të tjera publike.
Rama e ka cilësuar këtë qasje si diskriminuese dhe të rrezikshme për demokracinë, duke paralajmëruar se kryetarët e komunave do të dalin bashkë në protestë gjatë muajit shtator para Qeverisë Kurti.









