Po bëhen 19 ditë prejse Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, nuk e ka thënë as edhe një fjalë. Nuk ka asnjë reagim në rrjetet sociale. Nuk ka asnjë prononcim për media. Paralizë totale.

Bashkë me humbjen në zgjedhje, humbjen e rreth 35 mijë votave krahasuar me zgjedhjet e fundit, Hamza e ka humbur edhe gojën.

Kjo është gjendja në të cilën ndodhet sot Partia Demokratike e Kosovës. Humbje e aftësisë për të artikuluar mendim politik edhe për çështjet më të rëndësishme në vend.

Njëjtë edhe me figurat qendrore të kësaj partie, siç është numri dy, nënkryetari Uran Ismaili. Por, edhe me vetë llogaritë e PDK-së në rrejte sociale. Postimi i fundit i kësaj partie në Facebook është më 19 qershor – para 8 ditësh – ku njoftojnë për një takim të Hamzës me ambasadorin gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph.

Kurse lajmi i fundit i prodhuar nga PDK në media, nëse kërkon, të del ai i “Kandidatit të PDK-së për deputet, Qëndrim Kryeziu, që ankohet në PZAP/Supreme” ku “pretendon se iu vodhën votat”.

Hera e fundit kur Bedri Hamza iu drejtua qytetarëve të Kosovës ishte data 8 qershor. Një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, në të cilat PDK-ja doli e dyta me pak më shumë 19 për qind dhe 22 mandate deputetësh.

Dikur në mesditë, Hamza, me një qetësi të çuditshme, u shfaq në një konferencë për media.

PDK-ja mori dhjetëra mijëra vota më pak se në zgjedhjet e dhjetorit. Një nga rezultatet më të dobëta në historinë e saj, përkundër se është partia mbase me elektoratin më besnik.

Është e vërtetë se PDK-ja arriti t’i ruante 22 deputetët. Por, kjo ndodhi për shkak të pjesëmarrjes së ulët në zgjedhje.

PDK-ja performoi keq edhe në bastione të saj. Si në Drenas dhe Skenderaj, ku numri i votave nuk ishte as afër herëve të kaluara.

Edhe më keq doli në Mitrovicë. Në vendlindjen e Bedri Hamzës dhe në komunën të cilën ai e ka udhëhequr për 4 vjet (2021-2025). Aty, Vetëvendosja e mori përqindjen më të madhe se në të gjitha komunat e tjera. Plot 62.92 për qind. PDK ngeli në 24.77 për qind.

“Rezultati që kemi marrë nuk është aspak në përputhje me pritshmëritë tona”, tha Hamza më 8 qershor dhe bëri me dije se mund të tërhiqet nga pozita e kryetarit për të hapur garën për të parin e partisë.

I paqartë se për çka qëndron, personalitet që shmang ballafaqimin, hesht kur duhet të flasë dhe kur flet nuk thotë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, Bedri Hamza e ka bërë PDK-në një pasqyrë të padëshirueshme për ta parë veten.

Dhe, më e rënda, askush në PDK nuk e konteston lidershipin e tij. Edhe s’ka se si të jetë ndryshe për shkak se vetë ardhja e tij në krye të PDK-së u bë me një konsensus jo normal për një parti politike, ku Kryetari paraprak largohet për t’ia lëshuar vendin ekskluzivisht një personi, në këtë rast Bedri Hamzës, dhe në të ashtuquajturën garë nuk ka asnjë kundërkandidatë.

Që nga koha kur lideri historik i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe Kryetari Kadri Veseli, u burgosën (5 nëntor 2020), nga Gjykata Speciale në Hagë si të akuzuar për krime të pretenduara të luftës, proces që ende s’ka marrë epilog, kjo parti ka qenë në krizë identitare dhe nuk ka arritur asnjëherë të krijojë një platformë serioze për t’u bërë alternativë qeverisëse për ta sfiduar regjimin tejet të fortë të Albin Kurtit.

Duke tentuar që t’i shmangë përplasjet e brendshme, PDK-ja të gjithë kryetarët pas burgosjes së Thaçit dhe Veselit i ka zgjedhur me konsensus, pa garë. Fillimisht Enver Hoxhajn si ushtrues detyre të Kryetarit, më pastaj Memli Krasniqin dhe së fundmi Bedri Hamzën.

Me shumë gjasë, në këtë paralizë PDK-ja do të jetë edhe për një kohë. Se a do të ndryshojë apo jo, kjo varet – më së shumti – nga Haga, e cila shumë shpejt – deri më 20 korrik nëse nuk kërkohet kohë shtesë – pritet që të jap vendimin për Thaçin e Veselin.