Para një audience krejt të huaj në Londër që s’e ka idenë çfarë ndodhë në Kosovë, Kurti, ndër të tjera, tha se ministrat e tij i takojnë shtresës së mesme për sa i përket pasurisë.
E vërteta është krejtësisht ndryshe.
Sipas deklarimeve që vetë i kanë bërë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit hiç më larg se në vitin 2025, ministrat e Kurtit rezultojnë se kanë pasuri të majme, ndryshe nga seç paraqiten nga shefi i tyre.
Ata kanë pasuri milionëshe në emrin e tyre apo të familjarëve.
Listës i prin Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka shtëpi në vlerë 600 mijë euro. Ka edhe një lokal në vlerë 650 mijë euro. Vetëm këto dyja, pa i llogaritur të tjerat, bëjnë 1 milion e 250 mijë euro.
Por, kjo nuk është e vetmja pasuri e Sveçlës.
Përveç veturës, ai ka edhe dy biznese në emër të bashkëshortes. Pasuria në këto biznese, sipas vetë deklarimit, është 106 mijë euro.
Milioner është edhe ish-Shefi i Kabinetit të Kurtit, Luan Dalipi. Këtë status, Dalipi e arrin me vetëm një shtëpi, vlerën e të cilës e ka të deklaruar hiç më pak se 950 mijë euro.
Ai ka të deklaruar si pasuri të paluajtshme edhe një banesë, depo dhe garazh.
Vlera e tyre është rreth 120 mijë euro. 43 mijë e 500 euro ka të deklaruar vetura në pronësi. E mbi 60 mijë euro para të gatshme.
Lista e milionerëve në Qeverinë Kurti nuk mbaron me kaq.
Pjesë e saj është edhe Rasim Demiri, Ministër për Zhvillim Rajonal.
Demiri ka të deklaruara vetëm pasuri të paluajtshme mbi 1 milion e 123 mijë euro.
Në anën tjetër, Kurti ka ministra si Artane Rizvanolli që veç para cash i ka të deklaruara mbi 200 mijë euro.
Vetëm me një bankë i ka 100 e 90 mijë euro.
Gjysmë milioni euro pasuri të paluajtshme ka Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Veç oborrin 250 mijë euro, shtëpi 150 mijë e banesë 98 mijë euro.
Qindra mijëra euro pasuri të paluajtshme ka të deklaruar edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila.
Ajo posedon një banesë në vlerë 180 mijë euro, një shtëpi në vlerë 65 mijë euro dhe një tjetër banesë në vlerë 78 mijë euro. Në total 323 mijë euro.
Mirë me pasuri qëndron edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Ai ka të deklaruara 3 banesa, 4 toka, një shtëpi, një parking dhe një depo. Vlera totale mbi 390 mijë euro.
Krejt këto pa llogaritur veturat dhe paratë e gatshme.
Çerek milionin me pasuri e kalon edhe Zëvendëskryeministri i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka.
Dy shtëpitë e tij kushtojnë 285 mijë euro.
Mbi gjysmë milioni pasuri ka edhe Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu.
Vetëm pasuri të paluajtshme dhe letra me vlerë ai i ka mbi 600 e 22 mijë euro.
Pra, mbi 378 mijë ka pasuri të paluajtshme: Një shtëpi e dy banesa. 244 mijë i ka letra me vlerë.
300 mijë euro pasuri të paluajtshme i ka të deklaruara Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Ai ka një shtëpi, 5 toka, një arë, një pyll dhe dy livadhe.
Pra, siç e patë, të dhënat janë të qarta.
Dhe këto, për vetëm një pjesë të kabinetit, jo për zyrtarët e tjerë të Vetëvendosjes.
Por, ndoshta problemi nuk është pasuria.
Problemi është përkufizimi.
Sepse kur milionat quhen “klasë e mesme”, atëherë Kryeministri dhe ministrat e tij jetojnë në një botë paralele, ndërsa njerëzit që i udhëheqin vështirë e kalojnë muajin dhe pjesa më e madhe e tyre e sheh largimin nga vendi si opsionin e vetëm për përmirësimin e jetës së tyre.








