Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka mbajtur konferencë për media nga salla e Kuvendit të Kosovës, ku ka paralajmëruar se PDK-ja do të nisë një “fazë tjetër” të veprimit politik, institucional dhe juridik.

Hamza tha se PDK-ja nuk do të pranojë vazhdimin e asaj që ai e ka cilësuar si shkelje të Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave.

“Ne kemi kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Nga sot, do të veprojmë që ligjshmëria të rikthehet”, deklaroi Hamza.

Ai tha se situata e krijuar nuk është më një përplasje e zakonshme politike mes partive.

“Kjo që ka ndodhur nuk është një mosmarrëveshje e thjeshtë politike. Nuk është konflikt mes PDK-së dhe Vetëvendosjes. Nuk është konflikt mes Bedri Hamzës dhe Albin Kurtit. Është konflikt mes një mënyre autoritare të ushtrimit të pushtetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kryetari i PDK-së paralajmëroi se partia do të shqyrtojë forma të tjera të veprimit për ta kthyer, siç tha ai, Kosovën “në binarët e ligjshmërisë”.

“PDK-ja do të shqyrtojë forma tjera të veprimit politik, institucional dhe juridik për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë dhe për ta kthyer Kosovën në binarët e ligjshmërisë”, theksoi Hamza.

Ai shtoi se PDK-ja nuk do të mjaftohet më vetëm me kërkesa për respektimin e ligjshmërisë.

“Nga sot fillon një fazë tjetër. Një fazë në të cilën Partia Demokratike e Kosovës nuk do të mjaftohet vetëm duke kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Do të veprojmë. Me përgjegjësi. Me vendosmëri. Me të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale që na i jep rendi kushtetues i Republikës së Kosovës”, përfundoi Hamza.