Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kanë vazhduar edhe të enjten protestën e tyre para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke e bllokuar hyrjen. Ata po kërkojnë që sa më parë të thirret seanca konstituive e Kuvendit.
Në ditën e gjashtë të protestës, deputetëve të PDK-së i janë bashkuar edhe deputetët e Aleancës dhe asamblistët e PDK-së nga Vushtrria.
Ganimete Musliu, deputete e PDK-së, bëri me dije se do t’i vazhdojnë aksionet e tyre deri në kthimin e kushtetutshmërisë.
“Jemi edhe sot, për të gjashtën ditë radhazi dhe nuk do të ndalemi deri në arritjen ose realizimin e kërkesës sonë, për të kërkuar një gjë të vetme, kthimin e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe legjitimitetit të shtetit”, deklaroi Musliu, derisa e akuzoi Kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, se e ka “kapur Qeverinë, Presidencën e Kuvendin”.
Time Kadrijaj, deputete e Aleancës, kërkoi respektim të Kushtetutës, derisa paralajmëroi se nëse vazhdon kjo situatë do të vazhdojnë me protesta.
“Askush nuk është mbi ligjin. E mbi ligjin nuk është as Albin Kurti, i cili po mendon që është njëfarë shefi që mundet me bë dhe me interpretu ligjin dhe Kushtetutën ashtu siç i dëshiron vetë. Kjo nuk do të ecë, ne nuk do të ndalemi së organizuari deri në konstituimin e plotë edhe të kuvendit po edhe zgjedhjen e qeverisë. E ka obligim qytetar dhe duhet sa më shpejt të mblidhet në sallën e kuvendit, ta konstituojë në plotni kuvendin po edhe zgjedhjen e qeverisë. Nuk ka rrugë kthim prapa, nëse Albin Kurti vazhdon me këtë avaz edhe ne do të vazhdojmë me protesta të cilat do të jenë edhe masive”, potencoi ajo.
PDK dhe Aleanca po vlerësojnë se është “cenuar rendi kushtetues” me kalimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
Sipas Kushtetutës, Kuvendi duhej të konstituohej më së largu më 7 gusht. Por, VV-ja, përkundër se i kishte 61 votat e nevojshme, nuk e bëri.
Kurti tha se i duhet ende kohë për të arritur një marrëveshje politike me partitë, posaçërisht për çështjen e Presidentit.
Të martën, Kurti zhvilloi edhe një takim të radhës me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pikërisht për Presidentin.
Ata thanë se kanë diskutuar për profilin e Presidentit dhe se në takimin e radhës do të shkojnë me propozime të emrave konkretë.








