Kryesia e Federatës Sindikale të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) i ka drejtuar një letër Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiut, dhe Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përmes së cilës kanë kërkuar ndërhyrje institucionale lidhur me mosrealizimin e pagave të punëtorëve të RTK-së.

Ata janë shprehur të shqetësuar lidhur me situatën e krijuar nga mosrealizimi i pagave, të cilat, edhe më 9 korrik 2026, thonë se ende nuk janë ekzekutuar.

Në rast që nuk ofrohet një zgjidhje e menjëhershme, ata njoftuan se do të vazhdojnë me përshkallëzimin e veprimeve sindikale dhe ndërmarrjen e procedurave ligjore.

“Mosdhënia e pagës në afatin e paraparë ligjor nuk përbën vetëm një problem administrativ apo financiar, por është cenim i drejtpërdrejtë i një të drejte themelore të punës dhe i dinjitetit të çdo punëtori. Paga është kompensim i fituar me punë, e garantuar me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, thuhet në letër.

Kjo situatë theksojnë ata se është bërë edhe më shqetësuese për faktin se nuk kanë të bëjnë me një rast të izoluar.

Vetëm një muaj më parë, më 7 qershor, Federata Sindikale theksojnë se ishte e detyruar të organizonte protesta për të njëjtën arsye.

“Në atë kohë besuam se reagimi ynë do të shërbente si alarm serioz për institucionet përgjegjëse dhe se do të ndërmerreshin masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate”, shtuan ata.

Fatkeqësisht, siç thonë ata, sot po përballen “me të njëjtën shkelje, gjë që dëshmon mungesë përgjegjësie institucionale dhe dështim në menaxhimin e një prej obligimeve më elementare ndaj punëtorëve”.

“Federata Sindikale konsideron se është e papranueshme që transmetuesi publik i Republikës së Kosovës të funksionojë në kushte ku punëtorët detyrohen të presin pagat e tyre pa asnjë afat të qartë, pa transparencë dhe pa asnjë komunikim zyrtar nga organet drejtuese”.

Kjo gjendje, thonë ata, “cenon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve dhe familjeve të tyre, por dëmton edhe besimin në institucionet publike dhe rrezikon funksionimin normal të RTK-së”, thanë ata.

Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së, sipas tyre, “kanë dështuar të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre me transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie”.

“Mungesa e informimit publik, heshtja përballë kësaj situate dhe mosofrimi i një zgjidhjeje konkrete janë të papranueshme dhe bien ndesh me standardet e qeverisjes së mirë që duhet të karakterizojnë një institucion publik”.

“Për këtë arsye, ju bëjmë thirrje që, brenda kompetencave tuaja kushtetuese dhe institucionale, të ndërmerrni veprimet e nevojshme për të siguruar zgjidhjen urgjente të kësaj situate dhe për të garantuar që punëtorët e RTK-së të marrin menjëherë pagat e tyre”, potencuan ata.

Në mungesë të një zgjidhjeje të menjëhershme, kjo Federatë njoftoi se do të vazhdojë “pa asnjë hezitim me përshkallëzimin e veprimeve sindikale dhe ndërmarrjen e procedurave ligjore pranë institucioneve kompetente”.

“Do të përdoren të gjitha mjetet juridike dhe sindikale të garantuara me ligj për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Çdo pasojë që mund të reflektohet në funksionimin e RTK-së do të jetë përgjegjësi e plotë e Bordit dhe Menaxhmentit”.

Punëtorët e RTK-së, potencojnë ata, nuk do të pranojnë që vonesa e pagave të shndërrohet në praktikë të zakonshme. “Ata nuk do të paguajnë çmimin e paaftësisë, neglizhencës apo keqmenaxhimit institucional. Dinjiteti i tyre nuk është i negociueshëm dhe respektimi i të drejtave të tyre nuk mund të varet nga rrethanat financiare apo administrative”.