Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se nëse rritet çmimi i energjisë elektrike, ekonomia e Kosovës do të fundoset, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës të mos e bëjë një gjë të tillë.
“E ftojmë Qeverinë e Kosovës të mos guxojë ta rris çmimin e energjisë elektrike. I themi ZRRE-së që ju jeni të emëruar prej Qeverisë, prej kësaj shumice: nuk mund ta rrisni për 21% tarifën e energjisë elektrike për shkak se kjo e bankroton shtetin. A krijoni prodhim më të madh, a subvenciononi, a blini ky është problemi juaj. Ju nuk guxoni ta rrisni çmimin e energjisë elektrike për shkak se kjo do ta fundos ekonominë e Kosovës, do ta fundos prodhimin”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media të dielën.
Tahiri, ndër të tjera, ka kërkuar që të ulet edhe akciza e naftës, pas rritjes së çmimeve të derivateve.
“Për AAK-në është kërkesë urgjente për qeverinë, urgjentisht qysh ka ditë t’i bëjë tenderët njëburimor – 2000 prej tyre, urgjent ta sjellë amendamentin në mënyrë që të ndryshohet ligji, neni që e përcakton uljen e akcizës dhe mos të bëjnë lajka. Nuk mund të niset kjo në parlament për shkak se nëse niset merr kohë. Është qeveria që duhet ta sjell amendamentin dhe këtu zotohemi që ne menjëherë e mbështesim si grup parlamentar në mënyrë që të vendoset saktësisht ulja e akcizës për një kohë të caktuar dhe të njëjtën kohë ulja e TVSH-së në mënyrë që të bie çmimi i naftës deri sa të stabilizohet tregu”, shtoi ai.









