Ish-Komandanti i NATO-s, Wesley Clark, gjatë dëshmisë së tij në Hagë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka treguar për bisedën që kishte pasur me gjeneralët e ushtrisë serbe, duke theksuar se këta të fundit e cilësonin UÇK-në si “terroriste”.
“Kështu që shkova dhe fola me gjeneralët. Ata hapën hartën dhe thanë: ‘Këtu e këtu ka terroristë’, duke treguar zona të ndryshme të Kosovës. I pyeta: ‘Këta janë terroristët?’ Dhe u thashë: ‘Nuk do t’i mundni njerëzit që luftojnë për familjet e tyre duke i quajtur terroristë dhe duke ndëshkuar gjithë popullatën. S’do t’ia dilni. Do të krijoni vetëm më shumë armiq.’ Patëm një debat të madh, por nuk u arrit asgjë”, tha Clark.








