Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më parë ta procedojnë në Kuvend Projektligjin për plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kështu ka thënë nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, në një konferencë për media të martën. Ai ka theksuar se nëse Kosova shkon në zgjedhje pa u votuar ky ligj, përgjegjësia politike është e qartë, duke iu referuar Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.
“Deklarata është zotim, ligji është veprim, ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë dhe e kuptueshme”, deklaroi Syla.
Nëse ky ligj, që është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës pas verdiktit skandaloz që e dha Gjykata Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nuk procedohet në Kuvend, Syla theksoi se nuk do të rrinë duarkryq.
Ai e bëri të qartë se do të dalin edhe në rrugë.
“Në qoftë se nuk do të merren parasysh kërkesat tona, edhe kjo kërkesë që ka dalë nga një parti politike, në këtë rast e PDK-së, për këtë plotësim-ndryshim të ligjit, e kuptojmë që është qëllimkeqe, edhe është e qëllimshme që nuk po dojnë me avancu më tutje”.
“E sigurisht ne kemi me i marrë veprimet tona, edhe po e kemi me dalë në rrugë. Për këtë të jeni të sigurt. Vetëm se për këtë vendim do ta marrim me kohë. Po duam t’i japim mundësi këtyre njerëzve që po udhëheqin me institucionet tona mos me fol para asaj date, por sido që të jetë në qoftë se nuk procedohet më tutje, ne veteranët e kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrimë duarkryq edhe kemi me i marrë hapa të tjerë, të cilët do të ju bëjmë të ditur”, shtoi.
Syla u ka bërë thirrje të gjitha kategorive të dalura nga lufta që të marrin pjesë në protestën e thirrur nga platforma “Liria ka Emër”, më 1 tetor, në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 14:00.
Më 16 shtator, Trupi Gjykues në Speciale dënoi Hashim Thacin me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqin po ashtu me 25, Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13.
Në Kosovë ka pasur kundërshtime ndaj këtij vendimi. Për cdo ditë, shqiptarët po protestojnë në Prishtinë.
Përveç në Kosovë, protesta kundër aktgjykimit janë mbajtur edhe në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje edhe në Australi.









