Në lidhje me verdiktin e 16 shtatorit në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së, Partia Demokratike e Kosovës ka thënë “se nuk do të heshtë ndaj një padrejtësie eventuale”. Deputeti i këtij subjekti, Përparim Gruda, në një konferencë për media tha se “do të kundërshtohet me vendossmëri e argumente secila padrejtësi”.

“Ne besojmë fuqishëm në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në të njejtën kohë dua të jem po aq i qartë. Nëse përballemi me padrejtësi, nuk do të heshtim dhe nuk do të dorëzohemi para saj. Do ta kundërshtojmë me vendosshmëri, me argumente, me të gjitha mjetet juridike dhe demokratike që kemi në dispozicion”, tha Gruda.

Në Gjykatën Speciale në Hagë, të mërkurën e 16 shtatorit do të shpallet aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Seanca do të fillojë nga ora 10:00 gjersa do të transmetohet me 10 minuta vonesë.