Në pikë të hallit i kishte paraqitur stacionet e Policisë raporti i inspektimit të Avokatit të Popullit, të kryer më 27 tetor 2025.

Bëhet fjalë për: Qendrën Rajonale të Mbajtjes në Prishtinë; Stacionin Policor në Mitrovicë të Veriut; Stacionin Policor në Zveçan; Stacionin Policor në Leposaviq; Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë; Stacionin Policor “Veriu” në Prishtinë; Stacionin Policor në Gjakovë; Stacionin Policor në Malishevë; Stacionin Policor në Rahovec dhe Stacionin Policor në Prizren.

Në asnjërën nga qendrat e mbajtjes të vizituara nuk ishte i instaluar sistemi i thirrjes emergjente (zilja).

Kjo nënkupton se personat e ndaluar nuk kanë një mekanizëm të drejtpërdrejtë për të kërkuar ndihmë në raste urgjente.

Në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë, raporti konstaton se nuk ka qendër të mbajtjes dhe se personat e arrestuar qëndrojnë deri në gjashtë orë në zyrat e hetimeve, për shkak të mungesës së hapësirave të dedikuara.

Gjashtë hetues ndajnë një zyrë dhe kanë në dispozicion vetëm dy kompjuterë, njëri prej të cilëve ishte jashtë funksionit. Po ashtu, uniformat nuk ishin shpërndarë që nga viti 2017.

As Stacioni Policor “Veriu” në Prishtinë nuk ka qendër të mbajtjes, ndërsa personat e arrestuar qëndrojnë deri në gjashtë orë në zyrat e stafit policor.

Për shkak të territorit të madh që mbulon, rreth 532 kilometra katrorë, ky stacion përballet edhe me mungesë të mjeteve të transportit.

Në Gjakovë, objekti i Stacionit Policor, i ndërtuar më 2007, nuk ishte renovuar asnjëherë, pavarësisht kërkesave të përsëritura. Edhe automjetet kishin defekte të shpeshta.

Në Malishevë, asnjëra nga pesë dhomat e ndalimit nuk ishte funksionale prej disa vitesh, për shkak të kamerave të dëmtuara dhe kushteve të papërshtatshme.

Në Rahovec mungonin veturat, uniformat dhe pajisjet për fotokopjim.

Gjendje e ngjashme ishte edhe në Prizren, ku mungonin pajisjet e nevojshme, ndërsa dhomat e ndalimit nuk kishin banjo dhe stafi ishte relativisht i vogël.

Megjithatë, këto probleme nuk ishin paraqitur asnjëherë si shqetësim nga Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga Xhelal Sveçla.

Përveç këtij raporti, institucionet kishin në dispozicion edhe një raport më të freskët për gjendjen në Stacionin Policor në Pejë. Në të, vetëm katër muaj para se Arlinda Zekaj të vritej, institucionet ishin njoftuar për gjendjen në këtë stacion.

Por, institucionet nuk reaguan as kur persona të paautorizuar hynë në Kampin në Vrellë dhe filmuan hapësirat e tij.

Përgjegjësi nuk morën as për kushtet mizerabël në Kampin “Enver Zymeri”.

Nuk i kishin marrë parasysh as raportet zyrtare të Avokatit të Popullit.

Arlinda Zekaj nuk është paralajmërimi i parë për problemet brenda sistemit.

Problemet i kishin të njohura.

Dorëheqja, sipas Sveçlës, nuk do ta fuqizonte gruan. Por as shpërfillja e raporteve, as mosadresimi i mangësive dhe as mungesa e përgjegjësisë institucionale nuk po e fuqizojnë sigurinë e saj.