Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar paralajmërim të nivelit portokalli për stuhi me bubullima, të cilat pritet të përfshijnë të gjithë territorin e Republikës së Kosovës gjatë ditës së mërkurë, 22 korrik 2026.

Sipas njoftimit të IHMK-së, periudha e vlefshmërisë së këtij paralajmërimi është gjatë gjithë ditës.

“Gjatë datës 22 korrik 2026 priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, të shoqëruara në disa rajone me reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish”, thuhet në komunikatën e Institutit.

IHMK ka bërë të ditur se këto dukuri atmosferike mund të shkaktojnë pasoja në disa fusha, përfshirë infrastrukturën, bujqësinë dhe furnizimin me energji elektrike.

“Ekziston rrezik i lartë nga goditjet e rrufesë, me pasoja të mundshme për njerëzit dhe kafshët. Mund të ketë dëmtime në rrjetin elektroenergjetik, ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, si dhe pengesa në sistemet e telekomunikacionit”, ka njoftuar IHMK.

Instituti ka paralajmëruar edhe për mundësi të përmbytjeve të shpejta lokale në zonat ku reshjet do të jenë më intensive, si dhe dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, veçanërisht si pasojë e breshërit dhe erërave të forta.

Gjatë së hënës dhe së martës, në Kosovë është shënuar një situatë e ngjashme me reshje të dendura dhe stuhi, ku disa komuna kanë pasur pasoja të konsiderueshme.

Në Komunën e Istogut, stuhitë kanë prekur rëndë kulturat bujqësore, duke shkaktuar dëme të mëdha për fermerët.

IHMK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë kësaj periudhe dhe të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive.