Çdo kërcënim ndaj Kosovës është edhe kërcënim ndaj Shqipërisë, ka thënë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për Turkiye Today, e cila është publikuar sot (e enjte).
“Nëse Kosova kërcënohet, kërcënohet Shqipëria. Nëse Kosova është nën kërcënim ekzistencial, atëherë edhe Shqipëria është nën kërcënim ekzistencial”, ka deklaruar Rama.
Ai komentoi edhe pretendimet e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për aleancën ushtarake mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë, duke thënë se kreu i shtetit serb ka një makth: Kosovën.
“Presidenti Vuçiç është një njeri me shumë njohuri dhe intuitë, por ai ka një makth të vetin: Kosovën. Kaq. Pikë”, pohoi ai. “Kur makthi pushton emocionet e tij, ai arrin të thotë gjëra që sinqerisht nuk kanë kuptim”, shtoi.
Kjo, sipas Ramës, “është vetëm një britmë tjetër nga makthi…”. “Serbia ka një marrëveshje shumë më të fortë me Kroacinë se kjo”.









