Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka pranuar se Qeveria ka dështuar kthimin në kohë në funksion të Bllokut B1 të Koorporatës Energjetike të Kosovës. Sipas Rizvanollit, fajin për këtë e ka Bashkimi Evropian, i cili e ka financuar edhe kontraktuar projektin. Si afat i fundit për rikthimin në funksion të këtij blloku ishte 25 nëntori.

“Ky projekt, siç e dini, është i financuar dhe kontraktuar nga Bashkimi Evropian qysh në vitin 2019.  Sipas marrëveshjes mes BE-së dhe kontraktorit, afati kontraktual për përfundimin e punimeve, dhe si rrjedhojë mundësimin e kthimit të bllokut në operim, ka qenë 25 nëntori”, ka thënë Rizvanolli.

“Mirëpo, kontraktori i këtij projekti ka pasur vonesa të vazhdueshme gjatë zbatimit të punëve. Duke qenë se Bashkimi Evropian është autoriteti kontraktues i projektit, dhe gjithashtu i kompanisë mbikëqyrëse të projektit, përqendrimi i KEK-ut, dhe përqendrimi ynë si Ministri e si Qeveri ka qenë tek monitorimi i rregullt, nga afër, i projektit dhe evidentimi i mangësive dhe shqetësimeve”, shton.

Madje, sipas paralajmërimit të Ministres, mos-rikthimi në kohë i Bllokut B1, mund të bëhet barrë për qytetarët.

“Më lejoni të ritheksoj edhe një herë kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj Bashkimit Evropian, kontraktorit të tyre dhe kompanisë mbikeqyrëse që të ndërmarrin të gjitha masat që punimet të përfundojnë sa më parë dhe mungesa e bllokut B1 të mos bëhet barrë shtesë për qytetarët e bizneset e Republikës së Kosovës në kohë krizash globale”, ka thënë Rizvanolli.

Aktualisht, KEK-u po operon me tri njësi prodhuese:  A3 dhe A4 si dhe B2.