Deputeti i Listës Serbe – parti që deklarohen kundër shtetit të Kosovës – Igor Simiç, në seancën e radhës konstituive të Kuvendit ka bërë thirrje për respektim të Kushtetutës së Kosovës.

Kjo ka ndodhur në momentin kur Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, po i kërkonte që ta propozonte deputetin e dhjetë serb, Nenad Rashiç-in, për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, mirëpo Simiç pretendonte se kjo pozitë i takon vetëm deputetëve të Listës Serbe dhe çdo veprim tjetër “është në shkelje të Kushtetutës dhe rregullores”..

“Ne mund të propozojmë përsëri dikë nga komuniteti serb. Vetëm këta kandidatë kanë të drejtën në bazë të Kushtetutës dhe rregullores. Të gjithë të tjerët janë në shkelje. Kjo i takon vetëm Listës Serbe. Ju po silleni siç doni. Ne nuk do të bëjmë diçka që është në kundërshtim. Përsëri propozoj Slavko Simiçin, ne nuk do të marrim pjesë në shkelje”, tha Simiç.

Ndryshe, të nëntë (9) deputetët e Listës Serbe kanë dështuar që të zgjidhen nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. Të nëntë janë votuar nga tre herë, por kanë dështuar.

Të gjithë i kanë marrë nga 9 vota për, pra vetëm deputetët e këtij subjekti politik votuan pro.

I pari që u propozua ishte Slavko Simiç. Në votimin e parë, Simiç mori 9 vota për, 54 kundër, 42 abstenime. Në të dytin 9 për, 54 kundër dhe 41 abstenime, ndërsa në votimin e tretë:  9 për, 53 kundër, 41 abstenime.

Pas Simiçit, Lista Serbe ka propozuar Zlatan Elek-un. Herën e parë, Elek mori 9 vota për, 52 kundër, 42 abstenime. Herën e dytë ishin, 9 vota për, 53 kundër, 42 abstenime. Herën e tretë, Elek mori 9 vota, 53 kundër, 41 abstenime.

Pas tyre, u propozuan edhe 7 deputetët e tjerë të Listës Serbe, e për të cilët rezultati ishte i njëjtë.

Seanca e së premtes për konstituimin e Kuvendit po mbahet pas një muaj e gjysmë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese – i treti për këtë proces.

Konstiutuimi i Kuvendit ka ngecur të zgjidhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Në Aktgjykimin që u publikua të mërkurën për çështjen e konstituimit të Kuvendit, u dha deputetëve të Kuvendit 12 ditë kohë për ta përfunduar procesin.