Një absurditet i llojit të vet dhe një situatë e paqartë është shpërfaqur së fundmi në Gjykatën Speciale ku “viktimë” është ish-presidenti Hashim Thaçi. Më 18 gusht, gjyqtarja paraprake Marjorie Masselot aprovonte kërkesën e prokurorisë për ndalimin e vizitave të 11 personave. Pak më shumë se dy javë më pas, më 3 shtator, për të njëjtën kërkesë të parashtruar në rastin “06”, aty ku krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte, Paneli i Trupit Gjykues ka marrë vendim refuzues.
Artan Behramit, Blerim Shalës, Ismail Sylës, Vllaznim Kryeziut, Milaim Ahmetajt, Milaim Cakiqit, Avni Kastratit dhe tre personave të tjerë, me një vendim të gjyqtares paraprake të Speciales në rastin “12” u ishte ndaluar ta vizitonin ish-presidentin Hashim Thaçi. Vendimi në fjalë, i datës 18 gusht, përbënte vulën finale pasi që i njëjti ia mohonte ish-liderit të PDK-së mundësinë të ankohej në Apel.
DOKUMENT:

Kërkesat e Prokurorisë për këtë “listë të zezë” parashtroheshin nga maji i vitit 2025. Ato ishin depozituar edhe tek gjyqtarja paraprake Masselot, edhe tek Trupi Gjykues në rastin “06”. Ndër të tjera Prokuroria kishte synim që të ndaloheshin edhe vizitat nga vëllezërit e Thaçit, mirëpo për të njëjtit, kërkesa ishte refuzuar, e ishte aprovuar për 11 individë të tjerë.
Tash, Paneli i Trupit Gjykues në gjykimin për krime lufte mori vendim krejt tjetër me atë të gjyqtares Masselot: refuzoi kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar si dhe urdhëroi ZPS-në dhe mbrojtjen e Thaçit të kërkojë riklasifikimin ose të dorëzojë versione publike të redaktuara të kërkesës jo më larg se të mërkurën e 10 shtatorit.
DOKUMENT:

“Duke pasur parasysh që kërkesa e tanishme ishte paraqitur edhe më herët dhe ishte trajtuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake në Lëndën 12, Paneli nuk do ta trajtojë kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (SPO) që z. Thaçi të ndalohet të diskutojë çështjet e Lëndës 12 gjatë vizitave jo të privilegjuara”, theksoi në vendimin e tij Trupi Gjykues.
Por cili verdikt do të mbetët i vlefshëm dhe cili është autoriteti përcaktues në këtë çështje? Vendimi me vulë të gjyqtarit Charles Smith është publikuar tek para tre ditësh, një muaj pasi që ishte marrë.
Gjithësej ndaj Hashim Thaçit, në Gjykatë Speciale janë aktive 21 akuza në dy raste të ndara. 10 për krime lufte e 11 për pengim drejtësie. Seancat në rastin “06”, ku akuzohet për pengim të drejtësisë rikthehen më 27 tetor kur edhe do të vazhdojnë dëshminë dëshmitarët e mbrojtjes.









