Beijingu ka shfrytëzuar mundësinë për të prezantuar teknologjitë e fundit mbrojtëse, duke nxjerrë në pah çdo gjë që nga raketat e reja deri tek sistemet hapësinore të mbrojtjes në një paradë ushtarake për nder të 80 -vjetorit të dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.
Raketa e re hipersonike, YJ-15, mjeti i ri ujor pa drejtim njeriu, AJX002, raketat e reja bërthamore interkontinentale, Dong-Feng-61, Dong-Feng-31BJ e Dong-Feng-5c, ishin vetëm disa nga armët e reja të prezantuara në paradë. Ajo që mori syrin e publikut qe raketa bërthamore, DF-5C, e cila ka një rreze veprimi prej 20 mijë kilometrash, duke e futur kështu të gjithë botën ne zonën sulmuese të Kinës.

Presidenti kinez, Xi Jinping tha se njerëzimi sot duhet të vendosë mes paqes e luftës dhe dialogut e konfrontimit.
Atij iu bashkuan dy mysafirë, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Xi Jinping nuk e përmendi Amerikën, megjithatë Presidenti i këtij vendi, Donald Trump, shkroi diçka për të në rrjetin e tij social Truth Social. “Uroj që presidenti XI dhe populli i mrekullueshëm i Kinës të kenë një ditë të mire dhe të gjatë festimi. Ju lutem jepuni përshëndetjet e mija më të ngrohta Vladimir Putinit dhe Kim Jong Un, ndërsa ju po konspironi kundër SHBA-ve”, shkroi Trump në fund të shkrimit pasi nënvizoi faktin që SHBA i ndihmoi Kinës shumë në rrugën e saj drejt lirisë.