Dhomat e Specializuara në Hagë kanë vendosur të zgjasin edhe për dy muaj paraburgimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Vendimi është marrë më 11 qershor nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III. Sipas Prokurorisë, Thaçi paraqet rrezik për arratisje, ndërhyrje në drejtësi dhe për vepra të tjera penale, tani që ka qasje të plotë në prova dhe pritet të njihet me dëshmitarët e mbrojtjes së viktimave.

Prokuroria ka përmendur edhe aktakuzën ekzistuese ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë, duke e cilësuar atë si dëshmi të rrezikut për përsëritje të veprës.

Mbrojtja i ka kundërshtuar këto pretendime të Prokurorisë, duke argumentuar se nuk ekziston asnjë rrezik real dhe se dëshmitarët janë ekspertë ndërkombëtarë. Pavarësisht kësaj, gjykata ka vendosur: paraburgimi vazhdon.

Paraqitja e provave nga Prokuroria në rastin e Thaçit dhe të tjerëve përfundoi më 15 prill. Aktakuza, e ngritur në tetor 2020 dhe e përditësuar më pas, përfshin dhjetë akuza për krime lufte dhe krime të pretenduara kundër njerëzimit. Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.