Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës është duke zhvilluar bisedime me Vetëvendosjen për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, Haziri tha se diskutimet janë ende në fazën e parimeve, por synimi është ndërtimi i një bashkëpunimi të qëndrueshëm që do t’i sjellë stabilitet vendit.
“Mësimi më i madh që duhet ta nxjerrim të gjithë është që 9 shkurti dhe 28 dhjetori të mos përsëriten, në kuptimin e mosarritjes së bashkëpunimit, mosarritjes së marrëveshjeve dhe moszbatimit të vullnetit qytetar. Tani jemi në bashkëpunim me partinë e parë, jemi duke biseduar për të ndërtuar një marrëveshje funksionale në interes të agjendës së Republikës. Ende jemi në nivelin e diskutimeve lidhur me parimet e një bashkëpunimi, i cili do të jetë i qëndrueshëm dhe do t’i japë vendit stabilitet”, deklaroi Haziri.
Ai u shpreh i bindur se gjatë ditës së sotme do të konstituohet Kuvendi i Kosovës, në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve.









