Sot, nga ora 13:00, do të mbahet protestë para zyrës qendrore të KEDS-it, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Protesta është thirrur nga organizatat joqeveritare “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist” dhe “Përpjekja”.

“Sot qytetarët/et e Kosovës nuk paguajnë vetëm koston e rrymës: ne paguajmë për humbjet e KEDS-it, paguajmë për keqmenaxhimin e tyre, paguajmë për etjen e tyre të pafund e për çdo gabim që ata bëjnë, krejt kjo vetëm për t’i siguruar që xhepat e tyre të vazhdojnë të trashen në kurrizin tonë”, thuhet në njoftimin e këtyre organizatave.

Në fillim të këtij muaji, Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) kërkoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 21.4%.

Kujtojmë se që nga viti 2021, rryma nga ZRRE-ja për konsumatorët është shtrenjtuar të paktën 2 herë.

Në vitin 2023, ZRRE rriti faturat për 15.4 për qind, ndërsa në vitin 2025 rritja ishte 16.1 për qind.