Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, do të mbahet seanca gjyqësore ndaj Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe dy deputetëve të zgjedhur të Vetëvendosje, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Sveçla, Pacolli dhe Zyba akuzohen nga Prokuroria për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të vitit 2018.

Në seancën e 31 tetorit, Sveçla, përkundër urdhëresës për ta sjellë me forcë, nuk ishte paraqitur në seancën gjyqësore për këtë rast.

Për dallim nga ai, Zyba dhe Pacolli ishin paraqitur në Gjykatë.

Seanca e paraparë për t’u mbajtur më 31 tetor, dështoi për shkak të mungesës së Sveçlës.

Sabit Sadikaj, gjyqtari i rastit, kishte thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës për shkak të mungesës së Sveçlës. Gjyqtari kishte theksuar se Sveçla e kishte arsyetuar me shkrim mungesën për të qenë prezent në seancë.

Në seancën fillestare për këtë rast, që ishte mbajtur më 26 mars 2024, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.