Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA, që do të mundësojë lirimin e shpejtë të të gjithë pengjeve që mbahen në Gaza, tërheqjen e forcave izraelite deri në një pikë të dakorduar dhe lirimin e disa të burgosurve palestinezë.
Presidenti Donald Trump tha se pengjet ka gjasa të lirohen të hënën, shkruan CNN.
Njoftimi i tij për marrëveshjen nuk trajtoi disa çështje të pazgjidhura në propozim, përfshirë çarmatimin e Hamasit dhe qeverisjen e ardhshme të Gazës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti marrëveshjen një “sukses diplomatik dhe fitore kombëtare e morale” për vendin e tij. Hamasi falënderoi Trumpin dhe të gjithë ndërmjetësuesit e përfshirë: Katarin, Egjiptin dhe Turqinë.
Marrëveshja u prit me festime dhe skena gëzimi në Gaza dhe Izrael, megjithatë banorët në të dy anët shprehën frikën se marrëveshja mund të dështojë ende.









