Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet SHBA-së dhe Iranit synon ta zgjerojë armëpushimin dhe të rikthejë qarkullimin detar përmes Ngushticës së Hormuzit.

Megjithatë, dokumenti prej më pak se 800 fjalësh në anglisht lë shumë çështje të hapura për më vonë, përfshirë temën e ndjeshme të programit bërthamor iranian.

Në të njëjtën kohë, ai i premton Iranit përfitime të mëdha financiare – përmes heqjes së sanksioneve që do t’i mundësojnë shitjen e naftës në tregjet botërore, qasjen në miliarda dollarë asete të ngrira dhe deri në 300 miliardë dollarë financim për zhvillim ekonomik.

Administrata Trump është e njohur për marrëveshjet me shumë pika. Marrëveshja për përfundimin e luftimeve në Gaza ishte një plan me 20 pika, ndërsa plani i parealizuar për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë kishte 28 pika.

Pika 1: Fundi i luftës

SHBA-ja dhe Irani zotohen për ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, si dhe për të mos nisur luftëra apo operacione ushtarake kundër njëri-tjetrit. Marrëveshja finale do ta konfirmojë këtë fund të përhershëm të luftës.

Megjithëse përmenden “aleatët”, nuk përmenden drejtpërdrejt Izraeli dhe Hezbollahu. Kjo konsiderohet e rëndësishme, pasi veprimet ushtarake izraelite në Liban kanë qenë një faktor që ka komplikuar përpjekjet për paqe.

Pika 2: Mosndërhyrja

Të dyja palët zotohen të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës. Kjo shihet si një sinjal se SHBA-ja po heq dorë nga politika e ndryshimit të regjimit në Iran.

Pika 3: 60 ditë për marrëveshjen përfundimtare

SHBA-ja dhe Irani angazhohen të arrijnë një marrëveshje finale brenda 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje me pëlqim të ndërsjellë. Afati fillestar do të përfundonte më 16 gusht.

Pika 4: Heqja e bllokadës detare

SHBA-ja do të fillojë menjëherë heqjen e bllokadës detare ndaj Iranit dhe do ta përfundojë atë brenda 30 ditësh. Po ashtu, do të tërheqë forcat e saj nga afërsia e Iranit pas arritjes së marrëveshjes finale.

Pika 5: Ngushtica e Hormuzit

Irani do të garantojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare pa tarifa për 60 ditë. Më pas, Irani dhe shtetet e Gjirit Persik do të negociojnë një sistem të ri administrimi të ngushticës. Kjo mund të hapë rrugën për tarifa të reja në të ardhmen.

Pika 6: 300 miliardë dollarë për Iranin

SHBA-ja dhe partnerët rajonalë do të zhvillojnë një plan me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit. Mekanizmi do të finalizohet brenda 60 ditësh.

Pika 7: Heqja e sanksioneve

SHBA-ja zotohen të heqin të gjitha llojet e sanksioneve kundër Iranit, përfshirë sanksionet amerikane dhe ato të OKB-së, sipas një kalendari që do të dakordohet në marrëveshjen finale.

Kjo do të shkonte shumë më larg se marrëveshja bërthamore e vitit 2015 (JCPOA), pasi do t’i jepte Iranit qasje më të gjerë në sistemin financiar ndërkombëtar.

Pika 8: Programi bërthamor

Irani riafirmon se nuk do të zhvillojë armë bërthamore. Megjithatë, çështja e pasurimit të uraniumit dhe e programit civil bërthamor mbetet për negociata të mëtejshme.

Pika 9: Ruajtja e status quo-së

Deri në marrëveshjen finale, Irani do të ruajë gjendjen aktuale të programit të tij bërthamor, ndërsa SHBA-ja nuk do të vendosë sanksione të reja dhe nuk do të dërgojë forca shtesë në rajon.

Pika 10: Shitja e naftës

SHBA-ja do t’i lejojë Iranit të eksportojë naftë dhe produkte të saj edhe para heqjes së plotë të sanksioneve, duke i dhënë ekonomisë iraniane një lehtësim të menjëhershëm.

Pika 11: Asetet e ngrira

SHBA-ja do të bëjë të disponueshme fondet dhe asetet e ngrira iraniane. Vlera e tyre vlerësohet nga analistët midis 124 dhe 167 miliardë dollarëve.

Pika 12: Mekanizëm monitorimi

Do të krijohet një mekanizëm për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe respektimit të saj nga të dyja palët.

Pika 13: Negociatat e ardhshme

Pas zbatimit të masave fillestare – heqja e bllokadës, qasja në fondet e ngrira dhe hapja e Hormuzit – do të fillojnë negociatat për marrëveshjen e plotë.

Pika 14: Miratimi nga OKB-ja

Marrëveshja finale do të miratohet përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjë që do ta bënte më të vështirë tërheqjen e njëanshme nga marrëveshja në të ardhmen.