Nesër (e enjte) është dita e fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet në seancën për zgjedhjen e Presidentit.

Edhe pas shumë takimeve mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me kryetarët e partive opozitare, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku, nuk ka dalë një emër zyrtar që do të mbështetet nga njëra apo tjetra forcë politike.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shpallur publikisht ambicien e saj për një mandat të dytë në krye të shtetit, por Kurti dhe deputetët e partisë së tij nuk e kanë shprehur përkrahjen publike për Osmanin.

Mbështetje për të nuk kanë shprehur as njerëzit që dikur themeluan Listën Guxo, veçanërisht Donika Gërvalla, aktualisht Ministre e Drejtësisë dhe bashkëkryetare e Guxo-s.

Kurti, në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, tha se do ta dëshironte Murat Jasharin, djalin e Rifat Jasharit vëllaut të Komandatit Legjendarm Adem Jashari, për President.

Por, Jashari, në një intervistë ekskluzive për VOX Kosova ditë më parë, mohoi ambiciet e tij për këtë post dhe, për më tepër, kërkoi që familja Jashari të mos keqpërdoret. Deklaratat e tij i mbështeti edhe Bekim Jashari – djali i Hamëz Jasharit – dikur kryetar i Skenderajt.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar në takime me Kurtin që kandidatët të propozohen nga ajo dhe që zgjedhja të bëhet nga emrat që ky subjekt i sjell në Kuvend për votim.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit të dytë me kreun e VV-së se ata nuk kanë qëndrim për ndonjë kandidat derisa, siç tha ai, nuk është propozuar askush – madje as Vjosa Osmani.

Mediat raportuan të martën se Vetëvendosje po synon që për këtë post ta propozojë Glauk Konjufcën, aktualisht Ministër i Punëve të Jashtme.

Sikur edhe vitin e kaluar, në raport me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas të Qeverisë, palët po akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadë, ndërsa në tryezë nuk ka kurrfarë emri zyrtar.

Seanca për presidentin duhet të thirret të mërkurën nga Kryesia e Kuvendit, por deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar për këtë.

Më 5 mars, në Kuvendin e Kosovës gjithsesi do të ketë një seancë, por ajo do të jetë solemne në nderim të Familjes Jashari dhe Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nëse Presidenti nuk zgjidhet deri më 5 mars, atëherë Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ushtrues detyre i Presidentit bëhet Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.