Policia dhe qytetarët janë alarmuar për një mjet të dyshuar shpërthyes në Prishtinë, në afërsi të shesheve kryesore të kryeqytetit.
Por, pas ekzaminimeve të nevojshme të Policisë, doli se nuk kishte mjet të dyshuar eksploziv.
“Informata është trajtuar nga ana e Policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, është konfirmuar se nuk ka mjet shpërthyes. Hetuesit policorë në koordinim me prokurorin e shtetit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast” – konfirmuan nga Policia e Prishtinës.
Ndërkohë në rrjete sociale janë publikuar pamje të cilat pretendohen se janë të momentit kur ky mjet është vendosur në lokacionin ku më pas është hasur.
Komunikata e plotë e policisë:
Sot, rreth orës 17:00, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë, është vërejtur një mjet i dyshuar.
Menjëherë pas marrjes së informatës, njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë masat e menjëhershme të sigurisë, duke evakuuar qytetarët dhe duke vendosur perimetrin e sigurisë.
Në vendngjarje ka dalë edhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve të Improvizuara Eksploduese, i cili është marrë me trajtimin profesional, të sigurt dhe të kontrolluar të mjetit të dyshuar (i cili dyshohet se është lëshuar nga ajri), duke evituar çdo rrezik të mundshëm për qytetarët dhe banorët e asaj zone.
Policia e Kosovës ka dëshmuar edhe një herë gatishmërinë dhe efikasitetin e saj në garantimin e sigurisë publike, ndërsa për mjetin e dyshuar do të vazhdojnë ekzaminimet e mëtejme si dhe zbardhjen e rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe vigjilencën e treguar, si dhe i fton ata që për çdo rast apo informacion lidhur me mjete të dyshuara t’a raportojnë menjëherë në numrin emergjent 192 ose përmes aplikacionit digjital të Policisë.









