24 orë pasi që kërkoi 180 burg për ta, Kryeprokurorja e Speciales, Kimerly West, ka thënë se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), luftuan për vendin e tyre “pavarësisht gjasave të vogla” që kishin.

“Ka qenë një privilegj për zyrën time të takohet me kaq shumë njerëz që kanë jetuar dhe kanë qenë dëshmitarë të ngjarjeve të përshkruara në këto prova. Njerëz, përfshirë edhe të akuzuarit, që luftuan për vendin e tyre kundër të gjitha gjasave. Njerëz që kontribuuan në mënyra të tjera, duke ofruar udhëheqje lokale ose duke shpërndarë ndihma. Njerëz që u përpoqën të mbështesnin dhe të mbronin familjet në kohë lufte”, tha West.

Këto komente, ajo i ka bërë në përmbyllje të fjalës përfundimtare të organit të akuzës në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pas Prokurorisë, fjalën përfundimtare janë duke e mbajtur mbrojtësit e viktimave dhe më pas do ta kenë mbrojtja e të akuzuarve.

Në seancën e fundit të fjalëve përfundimtare të palëve, më 18 shkurt, krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – do t’i kenë në dispozicion nga 20 minuta për të dhënë qëndrimet e tyre.