Gjykata Speciale ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke e lejuar Prokurorinë e Speciales që të dërgojë ende materiale në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe pse çështja kundër tyre është mbyllur.

“Paneli vëren se Mbrojtja e Thaçit e ngre këtë argument për herë të parë në Përgjigjen e saj dhe, në kundërshtim me Rregullin 76, këto argumente nuk adresojnë asnjë çështje të ngritur nga PSP-ja në Përgjigje. Sidoqoftë, Paneli vëren se Rregulli 139 përcakton qartë cilat prova do të shqyrtojë Paneli për qëllimet e vendimit dhe siç u tha nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake, një panel Gjyqtarësh profesionistë mund të vlerësojë vetëm provat e pranuara para tij në gjyq”, thuhet në vendimin e trupit gjykues.

“Nëse ato janë, siç pretendohet nga Mbrojtja, inkriminuese apo, siç etiketohen nga PSP-ja, shfajësuese, është pra e parëndësishme dhe Mbrojtja nuk ka arritur të tregojë ndonjë paragjykim që do të kërkonte një lehtësim. Prandaj, këto argumente hidhen poshtë”.

Aty theksohet se “për dallim nga parashtrimet e mbrojtjes, paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar panelit në kuadër të këtij rregulli”.

Sa i përket kësaj çështje, mbrojtja e Thaçit, përkatësisht avokati Luka Misteiç, në një parashtresë të dorëzuar në Gjykatë më 30 mars, u shpreh se në Speciale po “krijohet rrethanë ku klienti i tij nuk ka mundësi t’i kundërpërgjigjet provave kundër, si rrjedhojë e veprimeve të Prokurorisë”.

“Meqenëse procedurat tashmë janë përmbyllur, z. Thaçi nuk gëzon më një të drejtë të përgjithshme për t’u dëgjuar nga Trupi Gjykues, përveç nëse arrin të përmbushë standardin e rreptë të ‘rrethanave të jashtëzakonshme dhe arsyetimit të bazuar’ sipas Rregullit 136. Për pasojë, paraqitja e njëanshme e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (SPO) në këtë fazë—përfshirë materiale që SPO i cilëson si inkriminuese në procedura të ndërlidhura—ia mohon z. Thaçi të drejtën për një proces kundërshtues”, thoshte Misetiç.

Se Prokuroria po dërgonte prova edhe pse rasti ishte mbyllur, mbrojtja e Thaçit e kishte bërë të ditur përmes një shkrese urgjente që ia kishte dërguar Trupit Gjykues më 13 mars.

Dërgimi i provave pas mbylljes së çështjes nuk mund të bëhet, përveç në rastet kur shqyrtohet paraburgimi, e kishte thënë edhe vetë Kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith, në ditët e fundit të gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.