Naim Qelaj, avokat i popullit, ka thënë se Gjykata Speciale ia ka cenuar mandatin e tij si Avokat i Popullit. Ai deklaroi se u trajtua nga Specialja si person fizik e jo si institucion.
Këto komente, Qelaj i bëri në një prononcim për Ekonomia Online, duke treguar për vizitën e tij në Hagë, ku shkoi për të vëzhguar procesin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe për të parë se a po respektohen të drejtat e të akuzuarve.
Qelaj theksoi se vizita e tij u realizua nën mbikëqyrje edhe të kamerave, edhe të personave të sigurimit, “që ishin prezent gjatë gjithë kohës sa unë zhvillova intervista me tre të paraburgosurit”.
“Pastaj nuk mu lejua me marrë shënime, pra nuk arrita të kem as laps, as fletore që të mbajë shënime, edhe pse unë kisha shkuar aty me idenë me i taku, e me i dëgju, jo me majtë procesverbal ose shënime”, potencoi ai.
Sipas tij, kjo tregonte një qasje “jo të duhur në raport me një institucion të të drejtave të njeriut”.
“Sepse është në kundërshtim me parimet e Komitetit për Parandalimin e Torturës dhe rregullat që ka përcaktuar ai Komitet, por edhe, si të themi, detyrimet që përmban edhe Konventa për Parandalimin e Torturës”.
Në anën tjetër, thotë Qelaj, “unë jam cilësu si person fizik, gjë që unë këtë e konsideroj të papranueshme, sepse të paraburgosurit atje as nuk i njoh, as nuk kam lidhje shoqërore as familjare me ta”. “Është cenu vetë mandati im si Avokat i Popullit”, pohoi ai ndër të tjera.








