Ta kuptosh se procesi ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është zhvilluar në mënyrë të padrejtë dhe të anshme, shpesh nuk ka nevojë të gjurmosh në përmbajtje të dokumenteve.

Mjaftojnë disa statistika.

Në një kërkim lidhur me ankesat që mbrojtjet kanë bërë në Gjykatën e Apelit në Speciale, del se nga 41 sosh që ekipet e avokatëve kanë dërguar, vetëm një e kanë fituar.

Dhe atë pjesërisht.

Si është e mundur që në 41 shkresa, mbrojtja të ketë të drejtë vetëm në një gjysmë rasti?

Kjo frymë kundër mbrojtjes ka ekzistuar në secilën shkallë dhe zyrë brenda Dhomave të Specializuara.

Prokuroria, Gjykata Paraprake, Ombudspersoni, Paneli i Gjyqtarëve, Gjykata e Apelit dhe, në fund, Gjykata Kushtetuese i kanë shërbyer njëra-tjetrës, duke vepruar si një trup kundër mbrojtjeve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në një proces gjyqësor, barra e provës për të vërtetuar pretendimet ndaj të akuzuarve i takon prokurorisë.

Trupi gjykues, në kërkim të së vërtetës, me pyetjet e veta për dëshmitarët, sfidon lëndën e prokurorisë.

Ky parim nuk ka vlejtur në Speciale.

Shigjetat e gjyqtarëve në Hagë ishin të drejtuara kah krerët e UÇK-së, me njëfarë përpjekjeje për t’i inkriminuar dhe sikur barrën e provës ta kishin ata e jo prokuroria.

Nga raporti 90-faqesh i ekspertëve britanikë, i cili iu dorëzua para pak ditëve Avokatit të Popullit të Kosovës, u tregua se nga fillimi i gjykimit, në prill 2023 e deri në nëntor 2024, gjyqtarët kishin shpenzuar 71 orë duke pyetur dëshmitarët, shpesh me pyetje spekuluese dhe hipotetike.

Në këtë situatë, mbrojtja ishte detyruar të shpenzojë mbi 31 orë shtesë për t’i trajtuar çështjet e ngritura nga gjyqtarët.

Ndërsa prokuroria vetëm 12 minuta.

Siç edhe kanë konstatuar avokatët britanikë në këtë raport, kjo e vendos mbrojtjen në një pozitë të pafavorshme dhe i bën gjyqtarët të duken si prokurorë të dytë.

Pranimi i provave nga Serbia ka qenë një nga shqetësimet e mëdha në gjykimin kundër krerëve të UÇK-së.

Nga i njëjti raport britanik, doli se janë identifikuar nga mbrojtja të paktën 2,356 dokumente që burojnë nga Serbia ose organet e saj shtetërore.

Ajo që dihet, dhe që thuhet edhe në këtë raport, është se dokumentet nga Serbia janë pranuar nga gjyqtarët në rastin e krerëve të UÇK-së pa një proces verifikimi, përkundër kërkesave të mbrojtjes, të nxitura nga dyshimet e forta se Serbia, në mënyrë të vazhdueshme dhe të faktuar, ka manipuluar dosje dhe ka fabrikuar raste në qëllimin e saj të qartë për ta kriminalizuar UÇK-në.

Çuditërisht, këtij qëllimi i ka shërbyer deri tash shumë mirë Gjykata Speciale.

Kur në një institucion të thirrur për aplikimin e standardeve më të larta juridike, mbrojtja del gjithmonë gabim e në faj, dhe i gjithë sistemi tjetër rreshtohet në një anë kundër saj, atëherë drejtësia mbetet veç një formalitet.