Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një padrejtësi e madhe.
“Për ne ky gjykim është padrejtësi e madhe sepse atje u dënuan ata që ia kushtuan rininë e jetën Kosovës. U dënuan se e kanë mbrojtur luftën e UÇK-së nga faktorët e jashtëm. Po ashtu ai vendim mbështetet edhe në pretendimet dhe materialet e fabrikuara të ushqyera nga propaganda e Serbisë”, ka thënë Hamza në një konferencë për media.
“Sot është një ditë e rëndë për Kosovën. Një ditë e zezë. Por, është edhe një ditë e turpit për drejtësinë ndërkombëtare”.
Vendimi, theksoi ai, nuk është bërë në emër të popullit të Kosovës. “Vendimi i shqiptuar sot është bërë kundër popullit të Kosovës dhe kundër shtetit të Kosovës. Ne kemi përcjellë këtë proces me besim se në fund drejtësia do të mbështetet vetëm në fakte, në prova dhe në përgjegjësi individuale”.
“Por, sot ne nuk pamë drejtësi. Në Hagë sot u godit rëndë rezistenca e popullit tonë. U fye sakrifica e popullit tonë që luftoj për liri”.









