Andin Hoti, në ditën e fjalës përmbylllëse të Prokurorisë së Specializuar ka deklaruar se kjo prokurori dhe kjo gjykatë do të mbahen mend për padrejtësinë që po i bëhet luftës çlirimtare dhe popullit të Kosovës. Ai theksoi se lufta e UÇK-së nuk ishte krim, por një domosdoshmëri për mbijetesë.

“Kërkesa për 45 vite burg ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është drejtësi. Është shtrembërim i historisë dhe padrejtësi e institucionalizuar. Lufta e UÇK-së nuk ishte krim. Ishte nevojë për mbijetesë, rezistencë ndaj gjenocidit dhe zëri i një populli të pambrojtur që vendosi të mos zhdukej”, deklaroi ai.

Hoti shtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfaqësonte vetë popullin e Kosovës që u ngrit për të mbrojtur familjen dhe dinjitetin.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte vetë populli i Kosovës, që mori armët për të mbrojtur shtëpinë, familjen dhe dinjitetin”, deklaroi ai.

Ai ftoi qytetarët që më 17 shkurt, në Ditën e Lirisë, të dalin për të protestuar nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

“Më 17 shkurt do të dalim për të treguar se e vërteta nuk gjykohet, se historia nuk rishkruhet me aktakuza dhe se liria e Kosovës nuk ka nevojë për leje”, deklaroi ai, duke përfunduar me thirrjen: “Drejtësi për çlirimtarët. Drejtësi për Kosovën. Drejtësi për të vërtetën”.