A po merr pjesë Bashkimi Evropian me vetëdije në shkeljen e të drejtave të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ?

Kur në nëntor të vitit 2020 katër figurat e larta të UÇK-së u dërguan në Hagë, ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian të akredituar në Prishtinë, përmes një deklarate, bënë thirrje që të drejtat e tyre ligjore të respektohen, mbi të gjitha prezumimi i pafajësisë.

Por, që nga ajo ditë, për më shumë se pesë vjet, Bashkimi Evropian dhe ambasadorët e vendeve anëtare nuk e thanë kurrë asnjë fjalë përballë shqetësimeve serioze për një proces që i ka zënë frymën drejtësisë, duke cenuar të drejtat e garantuara të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Megjithatë, BE-ja ka një shans tjetër të flasë.

Një grup gazetarësh nga Kosova dhe Shqipëria, duke pasur parasysh raportimet e vazhdueshme, analizat juridike vendore dhe ndërkombëtare, si dhe reagimet institucionale e publike për një proces të devijuar, i janë drejtuar institucioneve evropiane përmes një letre, duke kërkuar përgjigje për disa pyetje thelbësore mbi atë që ka prodhuar Haga për luftën e Kosovës për liri në gati gjashtë vjet gjykim.

Gazetarët kanë sfiduar Presidencën dhe Komisionin Evropian nëse kuadri ligjor i Gjykatës Speciale përputhet me standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe kush mban përgjegjësi nëse konstatohet se këto standarde janë shkelur.

Për shqetësimet lidhur me qasjen e anshme të gjyqtarëve, pyetja që shtrohet për BE-në është nëse ajo ka mekanizma mbikëqyrës për respektimin e parimeve të paanshmërisë gjyqësore, barazisë së palëve dhe prezumimit të pafajësisë.

Paraburgimi kaq i gjatë për krerët e UÇK-së ka qenë kryefjala e shqetësimeve për shkeljen e të drejtave të njeriut. A është ky i justifikueshëm dhe kush do të mbajë përgjegjësi nëse ai vlerësohet si i paligjshëm, i tepruar ose joproporcional?

Kush në Evropë mban përgjegjësi për një gjykim me 80% të dëshmive të mbyllura dhe a është kjo në të vërtetë praktikë demokratike?

Nëse konstatohet se standardet ndërkombëtare të drejtësisë nuk janë respektuar nga Gjykata Speciale, përfshirë mospërdorimin e parimit lex mitior – ligji më i favorshëm për të akuzuarit, ndaj kujt do të drejtohej përgjegjësia politike dhe institucionale – ndaj gjyqtarëve, prokurorëve, organeve mbikëqyrëse apo vetë autoriteteve sponsorizuese?

Indiferenca e Bashkimit Evropian karshi shqetësimeve se pikërisht standardet e drejtësisë që ai promovon po shkelen nga një gjykatë që e sponsorizon, administron dhe e mbikëqyrë nuk është më thjesht mungesë reagimi burokratik. Është qartë një pjesëmarrje e vetëdijshme në shkelje të të drejtave të njeriut.