Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ofendonte me terma të ulët ish-funksionarin e lartë shtetëror, Skender Hysenin, në një bisedë që ajo zhvillonte me Faruk Mujkën, kryeshefin ekzekutiv të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër – Lepenc”. E quante “minuk”. Në këto biseda që ka siguruar VOX Kosova brenda telefonit të Faruk Mujkës, e të cilat gjenden në dosjen e Prokurorisë, dëshmohet qartë se si nëpërmjet ndikimit të ministres Artane Rizvanolli dhe orientimeve nga Dejona Mihali e VV-së, kjo parti kishte kapur pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër – Lepenc”.

Pasi ministrja Rizvanolli ia konfirmonte Mujkës se puna është kryer dhe ai tanimë do të jetë Kryeshef i kësaj ndërmarrjeje publike, këta dy lëshoheshin në komente të ulëta në bisedë me njëri-tjetrin.

“Lirisht me plot gojë thuaj që qeveria as VV nuk kanë ndikuar në vlerësim”, e sugjeronte Rizvanolli Mujkën. “

Bile njëri të ka vlerësuar më dobët se e ka preferu dikë tjetër”. “Po për këtë të tregoj ndonjëherë”.

Por, Mujka me gjasë e dinte për kë bëhet fjalë:

“E di se Bajrami ka qenë goxha i ndikuar nga dikush, bile më thirri me dal sonte por i thash tjetër herë. Hiq pa merak se unë di si me vepru me media pos nëse ata shkruajnë pa më pyet mua fare”.

“Takohemi gjithësesi gjatë javës. Të tregoj kush është kush e çka po bën aty. Se gjatë këtij konkursi kam mësu shumë. E ata me interesa tjerë duhet me i përcjellë me kujdes”.

Mujka përgjigjet: “Unë kam pas mundësi pak a shumë me i vlerësu vetëm gjatë intervistës sepse vetëm Bajramin e njoh e ai është asi LDK i tipit të Skender Hysenit”.

“Hahahah. Bash!!. Asi minuki. Që bëhet i pagajshëm”, thoshte Rizvanolli.

“E njeh krejt Mitrovica çfarë është”, ia kthente Mujka.

Biseda e Rizvanollit me Mujkën e publikuar nga VOX Kosova, dëshmon përfshirjen flagrante të Rizvanollit dhe është dëshmi e mjaftueshme që ajo ka kryer veprën penale të Keqpërdorimit të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga Neni 414 i kodit penal.