Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është gjetur pa shenja jete në pendën e Livoqit, në Gjilan.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, theksoi se trupi është gjetur të premten nga ekipet e specializuara të zhytësve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ekipet e specializuara të zhytësve të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë arritur të gjejnë në pendën e fshatit Livoq trupin e pajetë të personit të raportuar si i zhdukur më datë 27.11.2025, ndërsa vdekjen e tij në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor”, tha Osmani.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Zhdukja e këtij personi ishte raportuar nga vëllai i tij, i cili kishte gjetur veturën e viktimës, bashkë me disa rroba dhe telefonin, afër pendës së fshatit Livoq.









